Mihal Grameno

Posts

Lumtësinë, lumtësinë Të kësaj bote pa funt Veç të marrët q’e arrinë Ata vetëm, ata munt. Çdo njeri gjer mos marrohet Ç’nuku bën e kapërxen? Po më kot lodhet mundohet Se atë kurrë s’e gjen. Qoftë mbret, qoftë i fundit, Gjyrmojnë nga një qëllim, Po ësht’ ëndër si i gjumit Fluturon e s’ka qëndrim. Ajy është i gënjyer Që pandeh se e afron, Edhe pret ditën e vyer, S’di q’e pritmja e mërgon.
Qyqe qyqe, bukuroshe, Që shëtit qoshe mi qoshe Kur të vesh edhe sivjet, Çoh të fala me shëndet. Qoj të fala Shqipërisë Nga një bir i aratisë. Edhe thuaj, që në rronjë, Për ty vetëm dëshëronj. Dëshëronj ditë e natë, Se atë kam mëm’ e atë; Tek ajo qan zemra ime Se më riti me thërime. Atje njojta dashurinë Edhe shkojtja foshnjërinë, Atje kam gjyshritë t’im, Që derdh lotë pa pushim.
Në pyje do vete të kre kalive Me vetësinë atje të shkonj, Se në kët’ jetë veç hidhërime Tjatër gjësendi nuk kupëtonj. Hidhërime s’dinja i vogël sa isha Losnja këndonja si brumbullak, Njëzet e një akoma s’kisha Fytyrën time s’ndonjë pej plak. S’atë që desha në këtë jetë, Emrin të saj nuk’e thom dot’ I mbylli sytë, më la të shkretë, Thëres, kërkonj, po është kot. Në pyll do vete të kre kalive Tjatër gjësendi më s’do të pres, Atje të qanj helmet e mija, Gjer sa të vinjë ora të vdes.
(Kënga e kryengritësve shqiptarë) Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë Vraponi burra, se s’ka me prit! Të vdesim sot ne me besa besë Pranë flamurit të kuq q’ungrit! Pranë flamurit, pranë flamurit! Me shpatë çveshur shqiëtarisht, Për dhen’ e Babës edhe të Burrit Kemi me vdekur sot burrërisht. Tym edhe flakë, ujë të valë Baba Tomorri nxjerr e buçet, Të gjithë trimat atje me dalë, Se dita erdhi koha më s’pret! E Drini plaku me oshëtima Mbi Shqipërinë valët po derdh; Tosk’ edhe Gegë, si vetëtima Armikut bini se dita erdh;
“Merr uratën, bir, prej meje edhe armët i gatit, se erdh dita e shënuar, dolli ylli e na ndrit. është ylli i lirisë, me të tjerë nuku ngjet, Shqipëria kaqë shumë këtë yll që po e pret. Djemt e saj le ta dëftejnë, kush mban emër shqipëtar, kurrë s’ka për të duruar ta urdhnonjë një barbar. Vdekje djema të kërkoni për të shënjtënë liri, rrojtjenë përse e doni nën zgjedh’ e robëri?