Skip to content
Mihal Grameno
Posts
Bota e tërë munt të të shajnë, Po pej ty kurrë s’mund të më ndajnë; Se tinë je dhe dot’ jesh vetë Që dua unë në këtë jetë.
Edhe në qoftë të vdeç më parë, Pej tynë kurrë s’jam për të ndarë, Por si të gjallë që të kam pasur, Edhe të vdekur kam për të dashur.
Nga vari yt do mos largohem, Nat’ edhe ditë gjer të bashkohem, Edh’ atje lart ku s’ka mëri S’munt të na ndanjë as një njeri.
Prej mëmës më ke mërguar, Fat’ i zi edhe mallkuar, Në vënt t’huaj që të rronj, Mëmëdhen’ ta dëshëronj.
Nga të dashurit më ndave, Shpirtin zemrënë m’i dave, Se të vogël më ke ngritur Prej vëndit që kisha lindur.
Nga do kthehem e vërtitem Me të huaj vetëm piqem Njeri s’vjen të më pushtonjë, E zëmrën të m’a gëzojnë.
Kur kujtonj o Mëmëdhenë, Lotet çurkë mua më venë. Duar ngre, mi qell vështronj, Edhe fatin e mallkonj.
Gjer kur vallë o Naturë Regullonj’ e Gjithësisë, Nuk’ e ke ner ment me prurë Një gëzim dhe Shqipërisë?
Se nga do sytë që kthejmë E gjer ku ne na vështrojnë, Në levrim të gjith i gjejmë Dyke rendur të punojnë.
Mbret mi gjithë është Djelli Për të ndritur Gjithësinë, Të lëvisnjë ç’ban Dheu, Qielli, Po përse jo Shqipërinë?
Hëna prapë gjithë natën Ajo del edhe jep jetë, Gjithëkujt i nxori datën Veç Shqipërin’ e la shkretë!
O Zot i madh që në qell rri, Përse më kreve mi dhet njeri? Sa vuanjë unë nukë vështron? Të shtrëmbrën, Zot, qysh e duron?
Mbyllur i mjeri nat edhe ditë Në errësirë, edhe pa dritë, Dielli as hëna nukë më vështronjë, Përveç se muret që më rrethojnë.
Nga afërija më kanë ndarë, Sytë së qari më janë tharë, Për një të drejtë që ti e di. Kur kreve botën, o Perëndi.
Lamtumirë, ju lë shëndenë, Ardhi dita që të shkonj, Për liri për mëmëdhenë Me gaz vete të lëftonj.
Për lirinë, për lirinë Me gëzim kam un’ me vdekur Më s’duronj dot robërinë Se mjaft zemra m’është djegur
Pushka m’është mëm’ e dashur Edhe shpata e shkëlqyer Ati im këto ka pasur Me gjak t’armikur lyer.
Shtëpi kam gunën e dhirtë, Malet pyjet ku jetonj Duke pritur mot e ditë Armikun ta copëtonj