Foto nga: [Shkurte ramushi](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Shtepi_e_vjeter,_Prizren.jpg), Prizren (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Gjyshja plakë

Vitet janë shuar, shpina fuqi s’ka; Vitet kanë rënduar, gjyshja shumë ka ra. Por prap’ ajo don këngë edhe mahi; Përore përralla ka të tregojë për fëmi'. Fëmija kur e takon i falet me gëzim; Buzagaz i thotë: „U rriç, pëllumbi im!” Në hije të shtogut ulen në një vend, Përrallat më të reja dalin rend e rend. Prej rrezeve t’diellit shtogu kundërmon; Gëzojnë gjithë fëmija, gëzon dhe gjyshja gëzon.

Foto nga: [SavTheNeutrinoGuy](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:High_resolution_picture_of_the_moon_seen_from_Tirana,_Albania.jpg), Tiranë (CC BY 4.0), Wikimedia Commons

Hana

Po del hana bukuroshe Rrumbulluem an’ e kand; Brigje m’brigje, qoshe m’qoshe Derdhet drita si argjand! Rrumbullake porsi nuse Fytyr’ plotë na ndriçon, Han’ e re si lule fushe Len e ndrit e perëndon!

Foto nga: [J. Idrizi / UNESCO](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Roma_children_studying_together_with_Kosovar_children,_Primary_School_Emin_Duraku,_Gjakove,_Kosovo.jpg), Shkolla "Emin Duraku", Gjakovë (CC BY-SA 3.0 IGO), Wikimedia Commons

Hyri pranvera në klasë

Shend e verë, mësuesja u qas, Nxënësit gjithë buzagaz. „Paska hyrë pranvera n’klasë!” Të gjithë lule kanë varë Në qafë si gjerdan me ar, Lum e lum për këtë behar! Mësuesja tha: dil Venerë, Shkruaje një fjali me vlerë: — Jeta jonë është pranverë.

Foto nga: [Julianruizp](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Horse_rider_traveling_along_highland_trails_in_the_Sharr_Mountains,_Kosovo.jpg), Bjeshkët e Sharrit, Kosovë (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Kali i vogël

N’vogëli Pata ‘i kalë, Me zengji E me shalë; Fre e bishte T’gjitha i kishte. Qe nji kalë, Kalë prej druni E me shalë Prej zibuni, Kishte fre Nji fije pe. Hante, rrinte Tok me mue Edhe pinte Uj në krue, Pastaj dilshim E shëtitshim, Kal, i drujtë, Sa të doja! Sa t’kam ruejtë! Sa t’shikoja! Sa herë delja Pas të merrja.

Foto nga: [Julianruizp](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Man_herding_a_flock_of_sheep_in_the_Sharr_Mountains.jpg), Bjeshkët e Sharrit (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Kam nji qingj që më ha bar

I Kam nji qingj që më ha bar, Me nji zile në qaf var; Kam nji qingj, nji larosh. Që ma quejnë Bukurosh. II Giçi, Giçi plot me gas Unë e ndjell ai m’vjen pas, Be, be, be, blegërin Vjen prapa e m’arrin. III E me brina dap e dap Do t’më hedhë mu në trap, Por s’më hedh se më ka shok, Prandaj shkojmë të dy tok.