Foto nga: [Arba Hatashi](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:The_Sunrise_in_Peja.JPG), Pejë (CC BY-SA 3.0), Wikimedia Commons

Dielli

Shkëlqen qielli, Se leu dielli. Si kalorës Ky gjithë botës Tue shëtitë I jep dritë. Sa len dielli, Qeshet qielli: Pemët ngrohen, Lulet zgjohen, Gjithë krijesat Ngjallin shpresat. Porsi rrota Sillet bota Sa nji gogël Shum’ e vogël Edhe rreth Diellit bredh.

Foto nga: [Fjolle Ramadani](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Beauty_of_Kosovo.jpg), Kosovë (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Dikur

Nga bolliku, ngrania tepër, Velesh beu dhe zotnia; Kurse në ‘i kasolle t’vjetër Vuente nana nga uria! Disa hajshin gjellë me shije, Se kusia u rri ke vargu, Kurse tjerët tretë urie, Ndjejshin erën për së largu. — Bukë, moj nanë! — bërtiste fëmia. Edhe turresh në dollap. Qante nana nga idhnia: — Aman, bir, se s’kam ç’të jap! Nga dëshprimi sa nuk plasi, Kur i biri zu t’kërkojë Nji kafshatë me i gjethe prasi Për ta shtimë në herë në gojë! ...

Foto nga: [Shkumbin Saneja](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Liqeni_i_Radoniqit_panoramic_1.jpg), Liqeni i Radoniqit, Gjakovë (CC BY 2.0), Wikimedia Commons

Ditë e bukur

Herë në një këmbë herë në tjetër vashëza kërcen porsi një kitër. Lulet n’lulishte te fontanë e re ia shkelin shoqja — shoqes syrin gjithë hare … Nuk kërcen vashëza si zogëz e lehtë por hidhet ëndrra e dashur për jetë … I valviten flokët e mëndafshtë prej dritës, ato nuk janë fjolla po flamujt e rritës …

Foto nga: [Shkumbin Saneja](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Kosovo_Mountains_during_fall.JPG), Kosovë (CC BY-SA 3.0), Wikimedia Commons

Ditë vjeshte

Lindi mëngjesi me buzëqeshje t’lehtë, Dielli ndriçoi gjethet në ar praruar, Mandej fshehu sytë dhe treti nën retë, Që bredhin qiellit si qengja të bekuar. Shpejt u mrrol qielli dhe u errësua, Ia nisi vajit me pika të mëdha loti; Pastroi rrugët, pemët, pullazin e pluhruar, Përsëri doli dielli nga gjumi i zgjuar. Në majë të bjeshkës u shfaq bukurosh ylberi, Doli i farkuar me më të bukurat ngjyra; Shpejt treti pas malit, humbi si sheqeri, Përsëri nd’rroi pamjen e vjeshtës natyra.

Foto nga: [Aljabakphoto](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Rainbow_and_white_narcissus_field_near_Shishtavec_village.jpg), Shishtavec, Maqedonia e Veriut (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Ditën që hyri prilli

Ditën që hyri prilli, Zuri e këndoi bilbili; O bilbil, o zog i parë, Fjala jote s’ka të sharë. Këndo, o bilbil, këndo, Në na zëntë gjumi, na zgjo.