Foto nga: [Julianruizp](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Flock_of_sheep_in_the_Sharr_Mountains_1.jpg), Bjeshkët e Sharrit (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Qingji i vogël

Qingji plot me gas Kullot nëpër bar, Deles i shkon pas, Turret si manar. Oh, si blegërin! Delja e kërkon, Me gjuh’ lëpin, E do, e fërkon! Shpejt e merr në gji, I jep qumësht taze; Qingji si kërthi Hovën e ban naze! Ngado që të shkoj, Nuk më ndahet hiç: E due, e lëmoj, E ndiell giç-giç-giç! Shpjegime: qumësht taze — qumësht, tambël të freskët.

Foto nga: [Albinfo](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Valbona_and_Gashi_valleys.jpg), Lugina e Valbonës (CC BY 4.0), Wikimedia Commons

Rritu, djali im

Rritu, rritu, djali im, Mali, fusha po bleron; Rritu si rritet një trim, Nëna, babai shumë të don. Fusha fushën sa e don, Mali lisin kur gjelbron, Zogu ajrin kur fluron, Po aq nëna të adhuron.

Foto nga: [Shqiponjek](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Kosovo_Village.jpg), Kosovë (CC BY-SA 4.0), Wikimedia Commons

Skilja

Si tinzare vjen nji skile magjistare kap me hile nji këndes në qymes. Ku ta dinte ky i shkretë, se do t’binte në lak vetë; se përndryshe s’do këndonte edhe skilja s’do e diktonte. Zoja skile lajkatare, si bandille, s’peshon fare se ç’po heq ky fatkeq! Shpjegime: skile — dhelpër; këndes — gjel; bandille — çapkëne, që ka qejf të luajë e të tallet.

Foto nga: [Besartgerguri](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Village_in_Kosovo.jpg), Kosovë (CC BY-SA 3.0), Wikimedia Commons

Skilja dhe gjeli

Prej pyllit na del Nji skile si plakë; Në lis shef një gjël. — Zbrit, thotë, të rrim pakë! Ah, ta dish sa dëshiroj Zanin tand veç ta ndigjoj! Skilja me kto fjalë Qaset me ngadalë, E mbërthen në fyt, Gati po e mbyt: Pastaj tallet: „He, mor gjel, Ç’të ka zani që s’të del?” Gjeli menjiherë Fjalë me skilen nis: — M’len të marr pak erë, Po m’deshe për mish! — Skilja rrehet, e lëshon; Mirpo gjeli n’lis fluturon! ...

Foto nga: [SUHEJLO](https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Rugova_Pine_trees_in_Kosovo_covered_with_Snow_during_Winter.jpg), Rugovë, Kosovë (CC BY 4.0), Wikimedia Commons

Suklla, suklla bie bora

Që nga mali era vjen, Ftyr, e duer sa t’i mpin! Suklla, suklla bora bjen, Plaku n’votër po mbërdhin! Lakuriq pemët kan’ mbetë, Gjithë natyra n’gjum ka ra, Përmbi gardh nji zog i shkretë Ciu! Ciu! Ciu! filloi me qa! Shpjegime: n’gjum ka ra — nuk ka fare gjallni në natyrë (s’ka gjelbërim, nuk ndëgjohet za zogjsh, mbretnon heshtje e plotë).