Prej pyllit na del
Nji skile si plakë;
Në lis shef një gjël.
— Zbrit, thotë, të rrim pakë!
Ah, ta dish sa dëshiroj
Zanin tand veç ta ndigjoj!
Skilja me kto fjalë
Qaset me ngadalë,
E mbërthen në fyt,
Gati po e mbyt:
Pastaj tallet: „He, mor gjel,
Ç’të ka zani që s’të del?”
Gjeli menjiherë
Fjalë me skilen nis:
— M’len të marr pak erë,
Po m’deshe për mish! —
Skilja rrehet, e lëshon;
Mirpo gjeli n’lis fluturon!
Dhe i thotë: — Moj skile,
Ç’më the vesh më vesh?
Mjaft me lajke e hile,
S’bahem ma sylesh!
Këput qafën, na mërzite,
Të duel boja, hipokrite!
Shpjegime: më folë vesh më vesh — don të thotë me folë me nji tjetër afër për të mos ndëgjue të tjerët.