Mblodha shkopin me nji sukull
Dhe kështu e bana kukull.
Porsi nuse bukuroshe
Dhe e vuna në nji qoshe.

Emnin se ç’ja vuna Tanë,
E ndërrova me fustan
Plot me lule rreze ar
Edhe rruzat n’qafë i var.

Me gjithë shpirt e fort e due,
Fjalë të bukura kuvendoj;
Her’ e puth e ledhatoj,
Se dhe kuklla më do mue.

— Lamtumir’ tash kuklla ime,
Lamtumirë moj faqe-mollë,
Se m’erdh koha për mësime,
Se m’erdh koha për në shkollë.