Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’i muar që s’i muar.
Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.
Kur panë se gjuhës
S’i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.
Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi,
Të bukurën gjuhë
Ta bënin lesharapi.
Në përçartje ta kthenin,
Në delir, në jerm.
Ishin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.
Të të bënin ty, donin
Shqipëri, memece.
Po ja, erdhi Naimi
Si yll mbi ty ecte.
Dorën e zbetë
Mbi ballë ta vuri,
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.
Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.
Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç’do të thotë përçartje
E di, oh, e di mirë.
E di ç’do të thotë
Kllapi, hermetizëm,
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë nga Parisi.
Kjo gjuhë martire
Lehonë e përjetshme,
Që lindi mes dhembjesh
Art të pavdekshëm.