Lark, lark, atje në jug,
Si borë e bardhë për herë,
Je fshehur, fshati im,
Në mes t’pyllit të blerë.
Agimi, me fresk t’dritës,
Kur n’sy t’çdokujt shkelqen,
Prej lindje diell’i bukur
Ty rreze t’arta t’bjen.
Skaj teje si argjendi
Shumë gurra të kalojnë;
Mbi ty çdo nate t’kaltër
Me mijëra yj të vetojnë.
E sa herë vie pranvera,
Ty zogjt’ t’këndojnë lavdi;
Kopshtiet e tua t’verës
Skuqen për mrekulli.
Për ty, o fshat i dashur,
Në zemër ruaj kujtimë;
S’harrohet shkollë e fshatit
Dhe prehëri i nënës sime.
Të fala, t’fala, o fshat,
O fshat ku unë kam le!
Kujtimi yt në zemër
Kaherë ka ngrehur fole.