I

Në lulishte të mbushuna me erë,
Sa janë t’ambla’ shetitjet n’verë;
Fryn veriu i freskët, bilbili këndon,
Zan’ i ambël me gzim zemrën na e gzon!

Andaj, eja ti moj verë,
Sikur erdhe vitet tjerë,
Plot me lule, plot me erë!

II

S’ka si zani i bilbilit,
Kur fillon me i këndue
Burbuqes së trandafilit,
Që ka nis me u zbukurue!

Andaj, eja ti, moj verë,
Sikur erdhe vitet tjerë,
Plot me lule, plot me erë!

III

Qingji hudhet në bar të njom’ me gas
Edhe deles s’vet i shkon pas;
Vjen bariu mbas tufës, fyeli tingëllon,
Zogu kangën e vet në lis e fillon!

Eja, moj e bardha verë,
Sikur erdhe vitet tjerë,
Plot me lule, plot me erë!

IV

Shifni lulet, zymylat,
Manushaqet kur lulzojnë,
Me gas në zemër, bylbylat
Gojartë, rreth tyne fluturojnë.

Eja, moj e bardha verë,
Sikur erdhe vitet tjerë,
Plot me lule, plot me erë!