— Zog i mirë, i vogël jakë,
Të lutem të lozim pakë
Bashkë këtu në pëqi
Me të madhe dashuri.
— Çun i dashur, kam shumë punë,
Gjetkë e shkoj kohën unë;
Poshtë e lartë po fluturoj,
Që shtëpinë ta ndërtoj.
— Pës, pës, mace e mirë jakë,
Të thërras të lozim pakë,
Eja, dua të mësosh
Me dy këmbë të qëndrosh.
— Djalth i dashur, nuk prehem,
Me vall’ e me lodra s’rrehem,
Se shtëpinë dëshiroj
Nga gjithë minjt’ ta qëroj.
— Dallëndysh’ e mirë jakë,
Të thërras të lozim pak,
Kot pa punë mos fluturo,
Dëm gjithë kohën mos e shko.
— Nuk mundem, i dashur djalë
Ta humb kohën gjithë me fjalë;
Unë folen po ndërtoj,
Që në atë të vezëtoj.
Pasi gjithë këto i thanë,
Ikën e vetëm e lanë,
Por dhe djali nuk mënoi,
Fët qëllimin e ndryshoi.
Si djalë i urtë e i mbarë,
Mori libër, kallamar,
Q’i kish lënë në shtëpi
Dhe vrapoi në skoli.
Shpjegime: jak — eja, pëqi — prehër, mënoj — vonoj, kallamar — shishe ngjyre, skoli — shkollë.